Bota është plot me rreziqe në natyrë, nga vullkanet te përmbytjet dhe stuhitë, por nga të gjitha zonat e rrezikshme në Tokë cilat janë më vdekjeprurësе? Në cilat vende të planetit jeta e njeriut është më e rrezikuar?
Image by ArtPhoto_studio on Freepik
Uji
Rreth 71 për qind e cunameve ndodhin në Oqeanin Paqësor. Cunami më i rrezikshëm në historinë e kohëve të fundit ndodhi në vitin 2004 pasi një tërmet goditi brigjet e Sumatrës në Indonezi. Ai cunami mori rreth 280,000 jetë njerëzish nga 15 vende të ndryshme. Edhe pse shifrat e numrit të viktimave janë jashtëzakonisht të larta, do t’ju habisë fakti që edhe më shumë njerëz humbën jetën nga përmbytjet e lumenjve, shkruan BBC.
Ajri
Kepi Denison në Antarktidë është vendi ku më së shumti frynë erë në Tokë dhe stuhitë sezonale bëjnë kërdi në zonat e populluara. Stuhitë më të forta ndodhen rreth oqeaneve të ngrohta në veri dhe në jug të ekuatorit. Këtu erërat përforcohen nga ndryshimi i shtypjes dhe kjo çon në efektin rrotullues Koriolis që shkakton uragane, ciklone dhe tajfunë. Kur bëhet fjalë për stuhi të tilla, Haiti konsiderohet si ishulli më i kërcënuar në Karaibe.
Toka
Nëse ka një gjë që lidh destinacionet më vdekjeprurëse në botë, është aktiviteti tektonik. Korja e tokës përbëhet nga pllaka të lëvizshme që lëvizin dhe energjia potenciale e krijuar mes tyre kalon nëpër çarjet e tokës dhe prodhon një valë sizmike që tund sipërfaqen e tokës me tërmete të forta.
Tetë nga dhjetë qytetet më të rrezikuara vullkanike në botë ndodhen në Filipine. Tërmeti më vdekjeprurës që është regjistruar është ai i vitit 1556 në Shaanxi (Kinë), ku numri i viktimave vlerësohet të jetë mbi 800,000.
Zjarri
Lëvizjet tektonike krijojnë aktivitete vullkanike. Më shumë se 200,000 njerëz kanë vdekur si rezultat i shpërthimeve vullkanike në 400 vitet e fundit.
Vullkani Tambora, në ishullin Sumbawa, Indonezi, në vitin 1815 vrau 70,000 njerëz. Shpërthimi shkaktoi anomali klimatike në 1816, prandaj ai vit u quajt viti pa verë. Ishte një nga shpërthimet më të mëdha vullkanike në historinë e fundit. Klima e ndryshuar rezultoi në uri si dhe në shfaqjen e sëmundjeve të ndryshme që morën jetë njerëzish.
Në vitin 2010, si rezultat i vullkanit Merapi vdiqën rreth 350 njerëz, por dhjetëra mijëra të tjerë u shpëtuan nga evakuimi në kohë.